Kur është fjala për buzët, ne jemi armiqtë më të mëdhenj. Shumë prej shprehive tona na shpien drejt buzëve të thara, të qara dhe të irrituara.
Ass.Msc. Krenar Dobroshi
Farmacist & Magjistër për kozmetikë
Qendra estetike-kozmetike “estethica”
044/049 344-284, 038/733-407
www.estethica-ks.com
Dehidrimi i trupit shfaqet në të gjitha pjesët në trup, duke i përfshirë edhe buzët. Pini ujë mjaftueshëm për ta mbajtur lagështinë në nivelin e duhur.
Një tjetër arsye e shpeshtë e problemeve me buzë është lëpirja e buzëve e cila ju bën të ndiheni shumë mirë. I ftohë ato por në të njëjtën kohë e përkeqëson gjendjen. Pështyma avullon shpejt duke i lënë buzët edhe më të thara, dhe enzimat që ndihmojnë pështymen për t’i tretur ushqimet dhe për ta pastruar gojën, janë tejet të ashpra për buzët tuaja.
Shmangni frymëmarrjen me gojë hapur ngase ajo ndihmon më tutje në tharjen e buzëve. Keni kujdes gjatë puthjes, mos puthni dikë që ka ulcerë apo plagë në buzë. Viruset, kërpudhat dhe bakteret mundën lehtësisht të bartën përmes buzëve.
Ushqimi siç ka ndikim të madh për lëkurë ka edhe për buzë. Buzët janë të varura nga marrja e vazhdueshme e vitaminave dhe mineraleve. Një dietë e pasur me pemë dhe perime të freskëta është e rëndësishme për buzë të shëndetshme. Vitaminat B dhe E janë veçanërisht të rëndësishme.
Mungesa e kompleksit të vitaminave B3 (niacini) dhe B2 (riboflavini) ulë mundësinë e lëkurës për ta mbajtur lagështinë. Në qoftë se përmes ushqimit nuk merren mjaftueshëm, atëherë përdorni vitamina B kompleks.
Mungesa e hekurit, apo anemia si rezultat i mungesës së hekurit, shkakton të qara nëpër buzë bashkërisht me lodhje, marramendje, kokëdhimbje, rrahje të çrregullt të zemrës (aritmi) si dhe simptoma të tjera. Merrni sasi më të lartë të hekurit në raste të tilla, apo drejtohuni tek mjeku juaj urgjentisht.
Përdorimi i hidratuesve për buzë në bazë të vazelinës ose parafinës është shumë i mirëseardhur. Për buzë jashtëzakonisht të thara përdorni aloe vera. Bima ka veti qetësuese dhe përdoret edhe në raste të djegieve. Përzgjidheni hidratuesin e buzëve me faktor mbrojtës edhe gjatë dimrit.
Fërkimi javor preferohet nga ekspertët në këtë lëmi. Fërkimi përmes produkteve të buta që mundëson regjenerim të vazhdueshëm.
Disa nga hidratuesit/balsamet përmbajnë elemente kimike që mund t’i thajnë edhe më tepër buzët. Ndër to veçohet acidi salicilik, i cili bën mrekulli në lëkurë me akne por nuk preferohet për buzë.
Po ashtu mentoli dhe kamfuri që janë zbutës mund të shkaktojnë probleme. Përdorni hidratues natyral që nuk përbëjnë aromë dhe silikon.
Një këshillë natyralë mund të jetë edhe përdorimi i mjaltës gjatë natës në buzë. Thjeshtë aplikoni disa pika mjaltë para se të flini, dhe të nesërmen në qoftë se nuk ka mjaftuar përsëriteni. Është një prej mënyrave të hidratimin të buzëve më natyrale dhe të shëndetshme e mundshme.
Në momentin që i keni provuar të gjitha mundësitë e shërimit të buzëve dhe nuk kanë funksionuar, atëherë vizitoni mjekun tuaj. Disa nga problemet e buzëve që shkaktohen nga infeksionet apo të ushqyerit e dobët, kërkojnë konsultim mjekësor.
Mos harroni që edhe disa nga medikamentet që i përdorni shkaktojnë tharje të buzëve. /Telegrafi/